PD: Asnjë deputet yni i përfshirë në incidente

11/09/2016 12:15

Partia Demokratike është shprehur nëpërmjet një deklarate për shtyp se, “deputetë të Partisë Socialiste, në sinkron me struktura kriminale të Bert Agës, përpiqen të dezinformojnë opinionin publik për ngjarjen e ndodhur mbrëmë në Maqellarë”. Sipas PD-së, e vërteta është krejt ndryshe dhe asnjë deputet i saj nuk ka qenë i përfshirë në ngjarje.

“Në mesnatë, banorët e Maqellarës kanë kapur duke shpërndarë lekë për blerje votash zyrtarin e Drejtorisë së Tatimeve Dritan Isaku, vartës i shtetasit Dionis Ymeri me detyrë Drejtor i Tatimeve për Dibrën. Dionis Ymeri është kallëzuar penalisht nga Partia Demokratike në Prokurori me date 1 shtator si anëtar i grupit të strukturuar kriminal për blerje votash në fushatën e Dibrës. Në vend të ndalimit dhe arrestimit në flagrancë të këtyre personave, segmente të policisë të drejtuar nga kryekrimineli Bert Aga, i kanë dhënë mbështetje këtij krimi elektoral. Bert Aga është kallzuar penalisht nga Partia Demokratike më 1 shtator si anëtar kryesor i grupit të strukturuar kriminal, i cili në abuzim të detyrës së shefit të Komisariatit të Peshkopisë ushtron presion ndaj zgjedhësve dhe ofron mbështetje logjistike dhe mbrojtje ekstraligjore për operacionin e shperndarjes së parave në këmbim të votave”, lexohet në deklaratën e PD-së.

“Çdo insinuatë për përfshirje të deputetëve të PD-së në këtë ngjarje është fabrikim i PS-së dhe strukturave kriminale të Bert Agës në Policinë e Shtetit. PD-ja i bën thirrje PS-së të distancohet nga ky grup i strukturuar kriminal. Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të nisë menjëherë procedimin penal për këtë grup të strukturuar kriminal të kallzuar nga Partia Demokratike që nga data 1 Shtator. Partia Demokratike shpreh vlerësimin më të lartë për votuesit dibrane që po vazhdojnë të shprehin vullnetin e tyre më qytetar dhe i bën thirrje zgjedhësve të dalin masivisht në votime”, shton deklarata e Partisë Demokratike.

Top Channel