Testimet bërthamore të Veriut, në prag të një lufte të dytë koreane

11/09/2016 00:00

Koreja e Jugut ruan në sirtarët e saj një plan për “asgjësimin” e kryeqytetit koreano-verior, nëse vendi i izoluar komunist do të shfaqë shenjat e para të ndërmarrjes së një sulmi bërthamor. Një burim ushtarak nga Jugu fqinj ka thënë për agjencinë e lajmeve “Yonhap” se çdo milimetër i Penianit “mund të shkatërrohet tërësisht nga raketat balistike dhe predhat shpërthyese”.

Të premten, Koreja e Veriut kreu atë që sipas saj ishte testimi i pestë dhe më i madhi bërthamor, që nxiti edhe dënimin maksimal të komunitetit ndërkombëtar, madje edhe marrjen në konsideratë të përgjigjes ndaj atij akti.

Shtetet e Bashkuara njoftuan se po marrin në konsideratë sanksione të reja amerikane, përveç atyre që priten të vendosen nga Këshilli i Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, Japonia dhe Koreja e Jugut.

Peniani reagoi këtë të dielë duke i quajtur kërcënimet “e sanksioneve të pakuptimta” si “tepër qesharake”.

Megjithatë, një zyrtar i ushtrisë koreano-jugore tha për “Yonhap”, një agjenci me burime të afërta me qeverinë dhe që financohet nga fondet publike, se rajonet e Penianit ku mendohet se fshihen udhëheqësit më të lartë të Veriut komunist mund të përbëjnë edhe shënjestrat kryesore në rast të ndonjë sulmi. Kryeqyteti i Veriut, – tha burimi në fjalë, – “mund të kthehet në hi dhe të zhduket tërësisht nga harta”.

Një korrespondent i BBC-së në Kore, Steve Evans, bën të ditur se në këtë situatë tensionesh, Jugu po përdor të njëjtën retorikë rrënqethëse, njësoj siç përdor zakonisht Veriu për qeverinë koreano-jugore në Seul.

Ai thotë gjithashtu se po rriten gjithnjë e më shumë kritikat brenda qeverisë së Koresë së Jugut, pasi përpjekjet e saj për të izoluar Veriun kanë dështuar të frenojnë ambiciet bërthamore të udhëheqësit Kim Jong-un.

Lajmi mbi planin e sulmit të Koresë së Jugut ndaj Veriut besohet të jetë zbuluar përpara Parlamentit pas testit bërthamor të së premtes. Ndërkohë, i dërguari special i SHBA-ve për Korenë e Veriut ka thënë se Uashingtoni po konsideron ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme kundër Penianit.

“Ne do të punojmë së bashku në Këshillin e Sigurisë së OKB-së, por edhe jashtë tij, për të arritur në masat më të ashpra të mundshme kundër veprimeve të fundit të Koresë së Veriut”, tha Sung Kim. “Veç sanksioneve në Këshillin e Sigurisë, Shtetet e Bashkuara e Japonia, bashkë me Korenë e Jugut po mendojmë edhe masa të njëanshme”.

Koreja e Veriut e ka të ndaluar nga OKB kryerjen e testeve bërthamore apo të raketave balistike, e për këtë arsye është goditur nga 5 paketa sanksionesh prej Kombeve të Bashkuara që prej testit të parë të vitit 2006.

Përllogaritjet e rendimentit shpërthyes të testit të fundit variojnë. Ushtria e Koresë së Jugut tha se ishte rreth 10 kilotonë, mjaftueshëm për ta kthyer atë në “testin më të madh bërthamor të Veriut”, ndërsa ekspertë të tjerë kanë të dhëna se rendimenti mund të ketë qenë 20 kilotonë apo më shumë. Nëse kjo e fundit është parashikim real, mjafton të krahasohet me bombën bërthamore të hedhur nga Shtetet e Bashkuara në Hiroshima në vitin 1945, me një forcë prej 15 kilotonësh, për të kuptuar edhe pasojat e saj.

Top Channel