PS mbyll fushatën në Dibër, Rama: “Arbri”, me ne dhe me Sheron

09/09/2016 12:10

Deputetë e ministra të PS por edhe aleatët e saj në qeverisje, LSI e PDIU, kërkuan përpara dibranëve votën për kandidatin e majtë Muharem Rama.

Vetë mjeku falenderoi kryeministrin Rama për përzgjedhjen e tij, ndërsa kërkoi besim për ta ndryshuar Dibrën.

“E kam refuzuar gjithmonë një post të tillë, një muaj më parë u binda. Unë bëra zgjedhjen e duhur. Unë jetoj në Dibër, I njoh problemet tuaja. Kemi gati 1 program se cfarë do bëjmë në dibër, në ditët e mandatit tim. I kam dhënë provat se di të shërbej. Ju lutem më votoni”, u shpreh kandidati Rama.

Votën për Muharem Ramën e kërkoi edhe kryeministri, për të cilin zgjedhja e dibranëve më 11 shtator është e lehtë.

“Keni një zgjedhje mes një kandidati që ka ardhur në Dibër për partinë e tij dhe Muharemit që është këtu për komunitetin e tij. Keni një zgjedhje mes një kandidati që ka ardhur në Dibër për doktorin në Tiranë dhe një që do shërojë plagët e trashëguara të Dibrës. Shkurt, keni një kandidat nga halli, Shehun dhe Ramën, për të zgjidhur bashkë me ne hallet tuaja”, tha kryeministri Rama.
Kreu i qeverisë tha se e ka ndjekur me shumë kujdes fushatën në Dibër, edhe atë të kundërshtarit politik dhe njësoj si më 23 gusht kur prezantoi Muharem Ramën si kandidatin e së majtës, edhe sot premtoi se rrugën e Arbrit do ta përfundojë kjo qeveri.

“Në qoftë se do zgjidhni Sheron, ta gëzoni. Me Sheron pa Sheron, ne Rrugën e Arbërit do ta ndërtojmë. Kryetari i PD doli dhe tha: ne e lamë gati. Tani, atë e dini më mirë se unë, që ata s’e kanë lënë gati. PD veç një gjë na la gati, një mal me borxhe për kantieret që hapi pa i patur paratë veç për të marrë vota e na e faturoi në formë borxhi”, tha Rama.

Kryeministri iu përgjigj nga Dibra edhe akuzave për sistemin e ri të arsimit të lartë, kur tha se nga sot studentët do të diplomohen sipas meritës, në qytetin ku 55 studentë kanë fituar të drejtën për të ndjekur studimet e larta nga 407 aplikantë gjithësej.

Top Channel