Demarkacioni, Mustafa konsultohet me drejtuesit e AKP-së dhe të Policisë Kufitare

08/09/2016 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa priti në takime drejtorin e bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Petrit Gashi, drejtorin menaxhues të AKP-së, Ekrem Hajdari, si dhe drejtorin e Departamentit të Kufijve në Policinë Kufitare, kolonel Shaban Guda.

Gjatë dy takimeve, ku ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, u bisedua në detaje për pronat e AKP-së, të cilat ndodhen në brezin kufitar me Malin e Zi, si dhe për të gjitha aspektet që lidhen me punën e Policisë Kufitare në këtë zonë, në funksion të nxjerrjes së argumenteve dhe sqarimit të procesit të shënjimit të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Gjatë takimit me drejtuesit e AKP-së u theksua se, asnjë pronë e menaxhuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk ka mbetur jashtë vijës kufitare të shënjuar nga komisioni shtetëror. Përfaqësuesit e AKP-së kanë prezantuar edhe dokumentet e hartat e plota të pronave, që ndodhen brenda vijës kufitare të Kosovës.

Ndërkaq, përfaqësuesit e Policisë Kufitare kanë deklaruar se, që nga marrja e mandatit për patrullimin e kufirit, ata kanë patrulluar në vazhdimësi vijën kufitare e cila përputhet në tërësi me vijën e shënjuar nga komisioni shtetëror.

Ata, po ashtu kanë dhënë argumente hartografike, teknologjike (GPS) dhe detaje të tjera, që lidhen me punën e tyre, të cilat argumentojnë vijën kufitare, që si e tillë është respektuar dhe figuron në hartat e lëna nga KFOR-i.

Kryeministri Isa Mustafa shprehu vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për vazhdimin e konsultave të gjithanshme, me të gjithë subjektet e interesuara dhe organet shtetërore, puna e të cilave në çfarëdo forme lidhet me brezin kufitar me Malin e Zi, me qëllim argumentimin dhe faktimin e të gjitha çështjeve që lidhen me shënjimin e vijës kufitare me Malit të Zi.

Top Channel