Klubi i Elbasanit me pronar një kompani angleze

08/09/2016 00:00

Hapet drita jeshile për ringritjen e Klubit të Futbollit Elbasani pas kërkesës së kompanisë angleze “Level Up SA” për të administruar atë.

Kërkesa, e cila ka mbërritur prej disa ditësh në Bashkinë e Elbasanit, është shqyrtuar nga ekspertë dhe i ka kaluar për diskutim Këshillit Bashkiak, i cili ka dhënë miratimin e tij për shitjen e 54% të aksioneve me një vlerë prej 50 milionë lekë.

Ndërkohë, mësohet se edhe Arben Laze e ka shitur kuotën e tij prej 46% të aksioneve të klubit që do të thotë se  “Level UP” është pronari i vetëm i klubit të Elbasanit.

Drejtuesit e kompanisë angleze deklaruan se do të kryejnë investime në klub për mundësuar në rritjen e nivelit të futbollistëve.

Në të njëjtën kohë ata premtuan se do të ndërtojnë disa kënde dhe ambiente sportive në qytetin e Elbasanit, të nevojshme për stërvitjen e lojtarëve dhe organizimin e aktiviteteve sportive si dhe krijimin e një akademie sportive.

Top Channel