Suedi, ish-ministrja gjobitet me afro 5.000 dollarë

06/09/2016 00:00

Ish-ministrja suedeze për Arsimin e Lartë është gjobitur me rreth 5.000 dollarë për shkak se ka drejtuar automjetin e saj në gjendje të dehur, një shkelje që e detyroi atë të jepte dorëheqjen gjatë muajit të kaluar.

Aida Hadzialic është ndalur nga policia kur ishte duke u kthyer nga një koncert, ndërsa pas kontrolleve të kryera, niveli i alkoolit në gjak rezultonte më i lartë sesa norma e lejuar. Kjo normë, në Suedi është më e ulët sesa në shumë vende të tjera europiane.

Ministrja 29-vjeçare Hadzialic e quajti këtë gabim si “më të madhin në jetën e saj”, ndaj dhe dha dorëheqjen e menjëhershme nga posti që mbante. Prokurorët bënë të ditur këtë të martë se kishin kërkuar ndëshkimin e saj me 40 mijë krona, rreth 4.670 dollarë.

Ajo ishte njëkohësisht edhe ministrja e parë myslimane e Suedisë, përpara se të largohej nga Ministria për Arsimin e Lartë.

Top Channel