Të regjistrohen “drone”-t!

06/09/2016 00:00

Një sërë shoqatash europiane aviacioni kanë bërë thirrje për regjistrimin e të gjitha pajisjeve të vogla të telekomanduara, të njohura edhe si “drone”.

Aftësia për të gjurmuar “drone”-t bezdisës deri te zotëruesit e tyre apo pilotët do të përmirësonte përputhshmërinë me rregulloren, bëjnë të ditur këto grupe përmes një deklarate të përbashkët.

Ngatërresat që përfshijën “drone”-t dhe avionët e pasagjerëve apo ato të transportit, që rrezikojnë edhe përplasje, janë rritur ndjeshëm kohët e fundit, teksa sipas Autoritetit britanik të Aviacionit Civil (CAA) kanë qenë 10 raste për t’u shënuar gjatë këtij viti e që mund të kishin edhe pasoja të rënda.

Në SHBA, ndërkohë, përdoruesit e “drone”-ve që peshojnë mbi 228 gramë e kanë të detyrueshme me ligj regjistrimin e tyre.

Mes 10 shoqatave të Bashkimit Europian që kanë nënshkruar këtë thirrje janë edhe Shoqata Europiane e Pilotëve dhe Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror.

“Përdorimet rekreative të këtyre pajisjeve po shtohen ndjeshëm së fundi, ndërsa rreziku i lidhur me aksidentet ajrore me avionë të telekomanduar duhet të zbutet domosdoshmërisht”, thonë këto trupa. Sipas tyre, rreziqet e sigurisë të ndërlidhura me “drone”-t shpesh janë nënvlerësuar.

“Synimi ynë kryesor është të parandalojmë çdo lloj konflikti në ajër”, tha një zëdhënës i “CAA”-së për “BBC”-në. “Regjistrimi ka avantazhet e tij, por është një vendim i komplikuar për t’u marrë në lidhje me përfitimet që mund të sjellë regjistrimi”.

Regjistrimi i “drone”-ve mund të konsiderohet edhe si hap për t’u siguruar se përdorimi i tyre bëhet nga individë të përshtatshëm, thotë Stephan Appt, nga firma ligjore “Pinsent Masons”.

Përveç regjistrimit, trupat europiane dhe ndërkombëtare të Aviacionit kërkojnë gjithashtu që “drone”-t të pajisjen edhe me programe të kufizimit të lartësisë dhe distancës, duke parandaluar kështu që këto mjete të hyjnë në hapësira ajrore sensitive.

Top Channel