Rama vizitë në Slloveni, Cerar: Mbështesim Shqipërinë për hapjen e negociatave

05/09/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama foli mesditën e të hënës në Lubjanë për domosdoshmërinë e liberalizimit të vizave të Bashkimit Europian me Kosovën, kur mbrojti Kosovën si një shtet që respekton marrëveshjet me Bashkimin Europian. Dhe këtu ai e kishte fjalën për çështjen e demarkacionit.

“Ne kemi qenë dhe mbetemi të bindur se Kosova do  ta zgjidhë një orë e me parë çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, si një çështje që ka të bëjë me seriozitetin e vendit. Dua të shpresoj shumë që kjo vështirësi nuk do të ndikojë në vendimmarrjen e shpejtë të Bashkimit Europian për të liberalizuar vizat me Kosovën”, tha kryeministri Rama.

Në Lubjanë, ku ka marrë mbështetjen e Kryeministrit slloven për të futur Kosovën në axhendën e insitucionalizimit të marrëdhënieve të saj me NATO-n, Kryeministri Rama nuk e kurseu qëndrimin e ashpër për vonesën e vendimit europian për liberalizimin e vizave me Kosovën.

“Pasi fakti që ka vetëm një popull, i cili nuk lëviz dot lirisht si të gjithë të tjerët në Europë, – për shkak se duhet të lëvizë me vizë në çdo vend dhe ky është populli i çliruar i Kosovës, – është një turp për Bashkimin Europian”.

Me moton e dyerve të hapura për vendet që plotësojnë kriteret e anëtarësimit, Sllovenia rikonfirmoi mbështjen për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

“Sllovenia mbështet aktivisht përcaktimin sa më parë të datës për nisjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë. Ne jemi shumë të kënaqur që Shqipëria ka trende pozitive, të cilat duhet të mbështeten me reformat e duhura dhe ne do të mbështesim të gjitha reformat dhe proceset e Shqipërisë. Përsa i përket reformës në drejtësi mund të them që bëhet fjalë për një hap shumë të rëndësishëm përpara”, u shpreh kryeministri slloven.

“Ky është një opinion i konsoliduar jo vetëm i kryeministrit slloven, por gjerësisht mes anëtarëve të Bashkimit Europian. Dhe njëherë tjetër ne presim që Sllovenia të jetë ndër avokatët më të zëshëm të dhënies së rekomandimit për çeljen e negociatave”, tha Rama.

Me vizitën në Slloveni për të marrë pjesë edhe në forumin strategjik në Bled, kryeministri Rama synon forcimin e marrëdhënieve ekonomike me këtë vend anëtar të Bashkimit Europian.

Në Shqipëri veprojnë rreth 60 kompani sllovene, por dy kryeministrat besojnë se mes dy vendeve ka potencial më të lartë për të punuar së bashku.

Top Channel