Studentët e rinj, sot shpallen fituesit. Nis publikimi i listave

05/09/2016 00:00

Data 5 shtator ka shënuar shpalljen e fituesve të raundit të parë nëpër universitete. Në Fakultetin Ekonomik, dekani Dhori Kule tha se 1.325 maturantë janë shpallur fitues mes 19 mijë konkurrentëve.

“Duke qenë se konkurrojnë në shumë degë, vetëm brenda grupit të konkurrentëve në Fakultetin e Ekonomisë, në qoftë se ata që janë fitues do të regjistrohen të gjithë, mbeten 352 kuota të paplotësuara, sepse janë shpallur fitues njëkohësisht në 3 apo 4 degë. Pra, të gjithë ata që e shohin veten pas listës të jenë në pritje me optimizëm, sepse do të bëhen së shpejti kandidatë, e nga kandidatë në studentë të Fakultetit të Ekonomisë”, u shpreh Dhori Kule, dekan.

Dekani i Fakultetit Ekonomik iu kërkon studentëve fitues të nisin procedurat e regjistrimit, duke paraqitur dokumentet origjinale pranë Sekretarive të Departamenteve.

“Në procesin e regjistrimit, që t’u heq edhe ndonjë merak që mund ta kenë me të drejtë maturantët dhe familjet e tyre, do të bëhet njëkohësisht edhe kontrolli i asaj që është bërë ‘online’. Do të kemi dëftesat origjinale të maturantëve, do t’u bëhet rivlerësimi i mesatares dhe i gjithë treguesve të bëra ‘online’ në mënyrë manuale”, theksoi më tej Dhori Kule.

Listat me emrat e studentëve fitues janë shpallur “online”, por edhe fizikisht pranë fakulteteve, ndërkohë që do të paraqiten edhe pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve.

Top Channel