Shehu: Gjiknuri e Ahmetaj të japin llogari për “Skavicën”

03/09/2016 00:00

Kandidati i PD për Bashkinë e Dibrës, Sherefedin Shehu u takua me banorët në Arrëz, Katund i Ri, Hotesh dhe Lishan i Epërm.

Gjatë këtyre takimeve Shehu theksoi se për Peshkopinë është një fyerje ardhja e ministrave Gjiknuri dhe Ahmetaj, “të cilët pas rritjes së çmimit të energjisë dhe presionit me faturat abuzive janë përgjegjës direkt për korrupsionin e hidrocentralit të Skavicës”.

Duke parashtruar programin për bashkinë, Shehu tha se ofrimi i shërbimeve që nga pastrimi, sistemimi i rrugëve dhe kanalet vaditëse do të jetë prioritet i tij nëse zgjidhet.

“Në bashkinë e Peshkopisë ka mundësi që edhe me buxhetin ekzistues, edhe me ndërmarrjet e makineritë që bashkia ka në dispozicion, të realizohen projekte që duken të vogla, por që për ju janë shumë të rëndësishme”, deklaroi Shehu.

Ai tha se, pengesë për realizimin e këtyre projekteve është vetëm kryeministri, “i cili nuk ka vullnet dhe dëshirë për të mbështetur Dibrën”.

Shehu premtoi zgjidhjen e problemeve që kanë të bëjnë me mbledhjen e mbeturinave, sistemin e ujit të pishëm, atë të vaditjes, etj.

“Këtej në zonën e Sinës ne kemi filluar një projekt të madh me Bankën Gjermane për Zhvillim, ky projekt tani do të vijë të zbatohet edhe në zonën tuaj”, tha Shehu.

Top Channel