Ministeriali i OSBE, Bushati në takimin “përballja me sfidat e përbashkëta”

02/09/2016 00:00

Ministrat e Jashtëm të vendeve të OSBE-së janë takuar në Potsdam të Gjermanisë, ku tema kryesore e diskutimit ishte “Përballja me sfidat e përbashkëta”, duke vënë theksin tek kriza në Ukrainë, lufta kundër terrorizmit dhe radikalizmit dhe krizat migratore.

I pranishëm në këtë Ministerial, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati në fjalën e tij evidentoi angazhimin dhe kontributin që jep Shqipëria për forcimin e paqes dhe sigurisë, në rajon, Europë e më gjerë.

Duke shprehur mirënjohjen për rolin dhe kontributin e Gjermanisë në avancimin e mëtejshëm të rajonit tonë, ai u shpreh se kryesia gjermane e OSBE-së ka njohur rëndësinë e ndërlidhjes në tejkalimin e barrierave, ku agjenda e ndërlidhshmërisë në Ballkanin Perëndimor mund të shërbejnë si shembull për rajonet e tjera të OSBE-së.

“Procesi i Berlinit dhe agjenda e ndërlidhjes rajonale kanë rezultuar të jenë një faktor kyç në forcimin e bashkëpunimit politik, ndërtimin e besimit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, theksoi ministri Bushati.

Kreu i diplomacisë shqiptare u ndal dhe tek krijimi i Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor si një urë e re bashkëpunimi dhe dialogu mes vendeve të rajonit.

Top Channel