Pas Nishanit, edhe Llalla: Prokuroria nuk vepron dot

01/09/2016 00:00

Një muaj pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së re, Prokuroria e Përgjithshme kërkon miratimin e një dispozite kushtetuese tranzitore pasi po i pengohet puna normale duke i shkaktuar ngërç në hetimin e dosjeve të mëdha korruptive, si ajo e gjykatëses Andrea dhe disa politikaneve të lartë.

Prokuroria le të kuptohet se arsyet për pengimin e punës së saj mund të jenë ekstraligjore, një referencë ndaj përplasjeve të kreut të saj Llalla me krerë të Qeverisë.

Sipas njoftimit zyrtar, nënvizohet se për shkak se  Kushtetuta e re i ka hequr Prokurorisë së Përgjithshme të drejtën për hetimin në juridiksion fillestar te  deputetëve, ministrave dhe gjyqtarëve të lartë dhe kompetencat  i merr  SPAK, një strukturë ende e pangritur.

Prokuroria konstaton  shqetësim për vijimin e hetimeve për dosjet që janë aktualisht nën shqyrtim, siç është për shembull dosja e deputetit Armando Prenga  në Gjykatën e Larte apo fati i hetimeve për gjyqtaren e lartë, Majlinda Andrea.

Organi qendror i akuzës shikon si problematike  edhe heqjen e së drejtës Prokurorit të Përgjithshëm për vendimarrjen sepse  kjo kompetence i caktohet Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në optikën e Prokurorisë së Përgjithshme, kjo ndërhyrje emergjente në ligjin themeltar duhet të lejojë mbajtjen në fuqi të dispozitave të mëparshme ligjore, derisa të mirarohet  paketës së plotë. 

Në njoftim ama, për herë të parë hamendësohet se kjo situatë e krijuar ndaj Prokurorisë, mund të jetë e qëllimshme.

“Prokuroria e Përgjithshme nuk synon të gjejë arsyet që kanë nxitur hartuesit e Kushtetutës për këtë diferencim në trajtimin e institucionit, por është e prirur të sugjerojë zgjidhje”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.

Përplasjet e Prokurorisë me Qeverinë si dhe fakti që vetë Llalla nuk gëzon mbështetjen në mazhorancë, përveçse të LSI dhe të Ilir Metës, duket se sipas institucionit të akuzës shihen si motive ekstraligjore për situatën e krijuar.

Llalla është i dyti pas Presidentit Nishani që denoncon këtë situatë të paqartë ligjore. Kreu i Shtetit paralajmëroi mosfunksionimin kushtetues para se ligji i vettingut të votohej në Kuvend.

Kuvendi në sesionin e ri, pritet të votojë disa ligje të rëndësishme ndër ta, edhe ai për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Top Channel