FMN miraton këstin e kredisë: Ekonomia po rritet, problem kreditë e këqija

01/09/2016 00:00

Bordi i drejtorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar miratoi rishikimin e tetë të marrëveshjes me qeverinë, duke i hapur rrugë disbursimit të këstit të radhës prej 35.9 milionë euro.

Sipas FMN, qeveria ka përmbushur të gjitha objektivat e programit duke shënuar progres të mirë në axhendën e reformave strukturore.

“Rritja ekonomike po forcohet, e mbështetur nga investimet e mëdha në energjetikë dhe rimëkëmbja graduale e kërkesës së brendshme”, thotë FMN.

FMN konstaton se inflacioni po rimëkëmbet nga nivelet shumë të ulëta, por tërheq vëmendjen për rritjen e dobët të kredisë, që pengohet nga niveli i lartë i huave me probleme.

Bordi i drejtorëve i rekomandon autoriteteve të ruajnë kursin aktual të politikave me konsolidimin e financave publike dhe politikën lehtësuese monetare si miksin më të përshtatshëm për të mbështetur rritjen ekonomike.

Ai inkurajon qeverinë të përmirësojë administrimin fiskal dhe të thellojë reformat strukturore për të ulur borxhin publik. Sipas bordit, vendosja e një takse mbi pronën të bazuar në vlerë dhe forcimi i menaxhimit financiar janë kritike për të konsoliduar arritjet e deritanishme.

Edhe këtë herë FMN ka përsëritur rekomandimin për uljen e kredive të këqija, që sipas saj është e domosdoshme për të rigjallëruar kreditimin dhe mbështetur rritjen ekonomike.

Top Channel