Siguria rrugore, fushatë sensibilizuese e policisë në Kakavijë

01/09/2016 00:00

Vijon në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë dhe akset rrugore të Gjirokastrës fushata sensibilizuese nga Policia e Shtetit për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore si dhe sensibilizimin e drejtuesve të automjeteve për vendosjen e rripit të sigurimit.

Deri më datën 05.09.2016 do të ketë vetëm këshillime dhe pas kësaj date do të zbatohen masat administrative që parashikon Kodi Rrugor. Drejtoria e Policisë Rrugore në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë në Qarqe dhe Drejtoritë Vendore për Kufirin dhe Migracionin po vijojnë fushatë sensibilizuese për ndërgjegjësimin e përdoruesve të rrugës për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.

Vijon shpërndarja e mijëra fletë-palosjeve ku u jepen drejtuesve të automjeteve në pikat e kalimit kufitar dhe në akset rrugore nacionale. Fushata sensibilizuese sot po vijon në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë dhe në akset rrugore të Qarkut Gjirokastër. Kjo fushatë do vijojë në gjithë Shqipërinë.

Njëkohësisht, paralel me masat sensibilizuese kanë vijuar edhe masat ndëshkuese, ku gjatë 24 orëve të fundit janë vendosur gjithsej 1 679 masa administrative. Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh, nga këta 2 të papajisur me leje drejtimi dhe 1 drejtues mjeti në gjendje të dehur. Janë pezulluar gjithsej 26 leje drejtimi, janë këshilluar 283 drejtues mjetesh për mosvendosje rripi sigurimi. Janë vendosur 56 masa për përdorim celulari, 73 masa për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, si dhe 234 masa e tjera janë për shpejtësi dhe parakalim të gabuar.

Top Channel