PR: Qeveria, 22 milionë euro detyrim ndaj pronarëve

01/09/2016 00:00

Partia Republikane, përmes kryetarit të degës së saj për Tiranën, Blendi Sulaj ka deklaruar se qeveria është e detyruar të zbatojë vendimet e Gjykatës së Strazburgut për pronarët, pavarësisht ligjit të saj.

“Qeveria e Edi Ramës detyrohet të zbatojë vendimet e Gjykatës së Strazburgut duke dëmshpërblyer pronarët e ligjshëm me mbi 22 milionë euro, shumë e cila mund të ishte shumë herë më e vogël nëse qeveria do të pranonte të zbatonte ligjin”, ka deklaruar Sulaj.

Sipas tij, qindra vendime të tjera presin për t’u zbatuar dhe të tjera do të ankimohen me qindra milionë euro kosto për shkak të ligjit të padrejtë të hartuar nga kjo qeveri.

“Këto janë para që dalin nga xhepat e varfër të shqiptarëve, që paguajnë gabimet e njëpasnjëshme dhe korruptive të qeverisë të Edi Ramës. Partia Republikane i bën thirrje qeverisë që nisur nga këto vendime të kthejë mbrapsht ligjin e grabitjes përfundimtare të pronave që ka miratuar dhe të miratojë një ligj që i jep të drejtën pronarëve, siç përcaktohet në vendimet e Gjykatës së Strazburgut dhe në Deklaratën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Shteti nuk mund të sillet si pronar me jetën dhe pronat e qytetarëve, por duhet të jetë garant i të drejtave që ata gëzojnë”, ka thënë Sulaj.

Top Channel