Historia e këtij çifti të moshuarish kanadezë po mallëngjen rrjetin. Të martuar prej 62 vjetësh, ata janë detyruar të jetojnë në shtëpi të ndryshme të kujdesit për të moshuar. Është mbesa e tyre 29-vjeçare e cila publikoi një foto të 83-vjeçarit Wolfram Gottschalk dhe bashkëshortes së tij Anita, 81 vjeç, teksa fshijnë lotët me shami dhe shtrëngojnë duart e njëri-tjetrit.

“Është fotoja më e trishtueshme që kam parë ndonjëherë“, thotë Ashley Baryik, sipas së cilës, gjyshërit janë ndarë pasi nuk ka vend për të dy në azilin e Surrejt, në British Kolumbia.

Burri, i cili është diagnostikuar me limfoma është në listën e pritjes për t’u zhvendosur në të njëjtën shtëpi për të moshuarit me bashkëshorten e tij. Imazhi i publikuar në Facebook është shpërndarë nga mijëra përdorues të rrjetit social.

Mbesa e tyre rrëfen se gjyshërit ishin detyruar të ndaheshin në janar, kur 83-vjeçari ishte shtruar në spital për probleme me zemrën. E ndërsa priste të hynte në një shtëpi të kujdesit për të moshuar, gruaja e tij Anita aplikoi gjithashtu për t’ju bashkuar të shoqit. Por, në mungesë të vendeve, ata u dërguan në qendra të ndryshme dhe tani presin për lirimin e ndonjë shtrati në mënyrë që të jenë sërish pranë njëri-tjetrit. Çifti, i cili ka jetuar i ndarë për 8 muaj, qan sa herë që takohet.

Top Channel