Opozita prezanton Shehun, Basha: Rrugën e Arbrit e përfundojmë ne

26/08/2016 00:00

Mbarë opozita zbarkoi këtë të premte në Dibër në kuadër të fushatës për bashkinë e këtij qyteti. Në fjalën e tij, Lulzim Basha e cilësoi kandidatin demokrat Sherefedin Shehu si njeriun që nuk e korruptoi kurrë politika, ndërsa lëshoi një sërë akuzash ndaj qeverisë Rama.

Ai tha se, qeveria e rilindjes aty e kishte rrugën e Arbrit, por nuk bëri asgjë për ta përfunduar atë sepse paratë ua dha oligarkëve. Kryetari i opozitës premtoi se do të jetë PD ajo që do të përfundojë këtë rrugë.

“Punët i bitis ai që i nis. Ne që e nisëm, ne do ta përfundojmë rrugën e Arbrit. Ne e filluam atë, ne dhamë para nga buxheti i shtetit. Fakteqësia e kësaj rruge ishte rilindja, fatkeqësia më e madhe për Dibrën ishte rilindja, fatkeqësia më e madhe për Shqipërinë ishte rilindja. Edi Rama e varrosi rrugën e Arbrit siç varrosi çdo projekt tjetër për Shqipërinë. Edhe rrugën e Elbasanit, ndonëse tuneli përfundoi, nuk e ka çuar asnjë metër më tej. Sepse Edi Rama i bën rrush e kumbulla paratë e buxhetit. Nuk i ka për ju, por për veten e tij, për miqtë e tij. I harxhon për fasada, për orendi, për mobilime, për godina qeveritare”, deklaroi Basha.

Nga ana e tij, kandidati Shehu tha se PD nuk kërkon mandate, por votën e dibranëve për t’u kthyer atyre shpresën.

“Qeveria ka poshtëruar qytetarët, ka rritur varfërinë dhe rinia ka humbur shpresën për të jetuar në këtë vend. Pas gjithë këtyre, kryeministri vazhdon të tallet me dibranët duke iu kërkuar mbështetje që t’iu shtojë të zezat që u ka bërë në këto 3 vjet”, u shpreh Shehu.

Në Dibër është rikthyer pas disa vitesh mungesë në jetën aktive politke edhe Besnik Mustafaj, i cili u këkroi dibranëve që më 11 shtator të mbështesin me votën e tyre kandidatin demokrat.

Kandidatin demokrat e mbështeti dhe kryetari i PR, Fatmir Mediu, i cili u bëri thirrje votuesve që të mos tundohen nga ofertat për blerjen e votës.

Top Channel