Kosova shton radhët, Valon Berisha braktis Norvegjinë

25/08/2016 00:00

Mesa duket do të përsëritet sërish rasti i dy vëllezërve kosovarë që luajnë me kombëtare të ndryshme në futbollin europian. Këtë radhë protagonistë janë Valon dhe Veton Berisha të cilët me realitetin e ri në futbollin europian nuk do të jenë më të dy në përfaqësueset e Norvegjisë.

Valon Berisha ka vendosur që t’i bashkohet Kombëtares së Kosovës, ndërsa vëllai i tij, Vetoni do të mbetet me Norvegjinë. Kosova ka marrë kështu një tjetër lajm të mirë, pasi mesfushori teknik ka lënë Norvegjinë për të luajtur për Kombëtaren më të re të FIFA-s. Në dallim nga Valoni, vëllai i tij Vetoni ka vendosur që të mbetet te Norvegjia.

Lajmi është konfirmuar edhe nga menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala, i cili tha se Valoni do të luaj me Kosovën, ndërsa Vetoni mbetet te Norvegjia. “Pas bisedave me trajnerin Albert Bunjaku dhe familjen e tij, Valoni ka vendosur që t’i bashkohet Kosovës, ndërsa Vetoni mbetet te Norvegjia. Ne kemi pasur kontakte me Valonin prej një kohe të gjatë”, shtoi zyrtari i FFK.

Berisha është njëri nga futbollistët e shumtë që ditët e fundit i ka thënë “po” Kombëtares së Kosovës dhe shumë shpejtë pritet të jetë në dispozicion të grumbullimit për eliminatoret e botërorit.

Valon Berisha ka një situatë të çuditshme rreth vetes pasi ka lindur në Malmo të Suedisë, por më pas vendosi të përfaqësojë Norvegjinë në futboll, e tashmë mesfushori i Salzburgut, i bashkohet revolucionit dhe historisë së saponisur te Kosova.

Top Channel