Ministria e Jashtme greke organizon në fillim të muajit shtator në ishullin e Rodosit, Konferencën për Sigurinë dhe Stabilitetin me pjesëmarrjen e 7 vendeve europiane dhe 7 vendeve arabe.

Midis shteteve europiane që kanë konfirmuar pjesëmarrjen janë: Shqipëria, Bullgaria, Qipro, Italia, Kroacia dhe Sllovakia. Vendet arabe janë: Egjipti, Jordania, Libani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Libia, Arabia Saudite dhe Tunizia, ndërsa kanë shprehur interes edhe vende të tjera.

Qëllimi i kësaj nisme të diplomacisë greke është t’i jepet një shtysë bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor mes shteteve europiane dhe atyre arabe, për një siguri më të madhe, për përballimin e sfidave të përbashkëta siç është ajo e refugjatëve dhe ajo mjedisore, si dhe për luftën kundër ekstremizmit.

Siç theksojnë burimet diplomatike, konferenca, që zhvillohet për herë të parë në Rodos, tregon dëshirën e Greqisë që ato vende të cilat kanë vullnet mund të bashkojnë forcat e tyre dhe të rrisin bashkëpunimin për një rol më aktiv dhe për një ndikim politik në stabilitetin e rajonit.

Ministrali zhvillohet në datat 8 dhe 9 shtator, pikërisht në ditën kur në kryeqytetin grek mbërrijnë liderët e vendeve anëtare mesdhetare të BE-së, midis tyre Francois Hollande dhe Mateo Renzi, në një konferencë të nivelit të lartë të thirrur sërish me iniciativë të Athinës zyrtare, takim që do të fokusohet tek sfidat kryesore që përballet BE në nivel ekonomik, politik dhe institucional.

Top Channel