Kosovë, Çollaku: Demarkacioni forcon sovranitetin

22/08/2016 00:00

Koalicioni qeverisës në Kosovë po përballet me një nga vendimet më sfiduese që nga themelimi, e që ndërlidhet me ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Ratifikimi i kësaj marrëveshje po kundërshtohet ashpër nga opozita, përderisa edhe një grup i deputetëve të koalicionit ka paralajmëruar se nuk do ta mbështesin marrëveshjen.

Çdo votë pro apo kundër kësaj marrëveshje, nga ministra dhe deputetë të koalicionit, po shihet si shumë e rëndësishme.

Ministri i Integrimeve Evropianë ne Qeverinë e Kosovës, Bekim Çollaku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi vetëm sa e forcon sovranitetin shtetëror të Kosovës.

Ndonëse vlerëson që kushtëzimi i bërë nga Komisioni Evropian që liberalizimi i vizave të ndërlidhet me ratifikimin e Demarkacionit nuk ishte i drejtë, ai thotë se ky kusht nuk mund të tejkalohet, nëse Kuvendi eventualisht nuk e ratifikon marrëveshjen. Në këtë rrafsh, si rikujton se Kosova nuk mund të ketë një plan “B” për heqjen e vizave.

“Fatkeqësisht do të doja të kishte një plan të tillë, por nuk mund të ketë, sepse Bashkimi Evropian nuk bën kompromis me kriteret të cilat i ka vendosur kohë më parë, dhe këtu nuk po flasim për një vendim që vjen vetëm nga ana e Komisionit Evropian apo nga ndonjë institucion tjetër i Bashkimit Evropian, por po flasim për qëndrime dhe vendime që vijnë nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian”, ka theksuar Çollaku.

Ministri Çollaku beson se deputetët e Kuvendit të Kosovës do ta ratifikojnë Demarkacionin, duke përmbushur kështu një nga obligimet ndërkombëtare dhe duke respektuar edhe një prej mesazheve politike që adresoi nënpresidenti amerikan, Joe Biden, gjatë vizitës së tij në Prishtinë. Dështimi, sipas Çollakut, do të përcillej me pasoja për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës.

“Në rastin më të keq, të cilin as që dua ta mendoj, dështimi i ratifikimit të Demarkacionit hap dilema dhe pikëpyetje të pafundme, jo vetëm për liberalizimin e vizave, mirëpo në tërësi e vë në pikëpyetje të ardhmen tonë euro-atlantike. Një gjë e tillë do të ishte në kundërshtim të plotë me vullnetin e qytetarëve të Kosovës, që Kosova ta zë vendin e vet të merituar në familjen evropiane”, ka deklaruar Çollaku.

Top Channel