Ruud Gullit, në stafin teknik të Holandës

22/08/2016 00:00

Ruud Gullit do të jetë pjesë e stafit teknik të përfaqësueses së Holandës, duke pranuar kërkesën e bërë nga trajneri i kësaj skuadre Dani Blind. Sipas medias holandeze, Gulit, i cili ka luajtur 66 ndeshje me “Portokallinjtë” në karrierë dhe ishte pjesë e skuadrës që fitoi Evropianin në vitin 1988, do të firmosë një kontratë  deri në Kupën e Botës së vitit 2018.

Gullit do të zëvendësojë në stafin teknik të Holandës, Dik Advokat, i cili javën e kaluar dha dorëheqjën në mënyrë të papritur, pasi vendosi të pranojë ofertën e drejtuesve të Fenerbahçes për të marrë drejtimin e kësaj skuadre.

“Blind më pyeti nëse isha i interesuar për një rol në kombëtare dhe kjo më bëri të mendoj se unë mund t’i shtoj vlerë stafit dhe skuadrës. Do tw jem i lirë që të jap idetë e mia, si gjatë stërvitjes, ashtu edhe në pankinë. Por, në fund, e gjithë përgjegjësia dhe vendimet do të jenë të trajnerit të parë”, deklaroi Gulit për median holandeze.

Ruud Gullit, tashmë 53-vjeçar, ka punuar më parë si analist sportiv në televizion, ndërkohë që ka kryer rolin e trajnerit në skuadra si Chelsea, Feyenoord, Newcastle, LA Galaxy dhe Terek Grozni.

Top Channel