Putin në Krime, akuza qeverisë ukrainase; Kievi: Rusia do të na pushtojë

19/08/2016 00:00

Autoritetet ukrainase ngurrojnë ose nuk munden të zbatojnë marrëveshjen e Minskut dhe për këtë arsye të qartë kanë tentuar të destabilizojnë Krimenë më aksione sabotazhi të dështuara.

Këto janë fjalët e thëna nga presidenti rus Vladimir Putin gjatë një vizite në territorin e aneksuar nga Moska pas rrëzimit të presidentit pro-rus të Ukrainës, Viktor Yanukovich.

“Ata nuk janë në gjendje t’i shpjegojnë popullit të tyre gabimet e shumta që kanë kryer në fushën social-ekonomike”, ka akuzuar më tej Putin.

Sipas mediave ndërkombëtare, shefi i Kremlinit ndodhet në Krime për të drejtuar një mbledhje të Këshillit të Sigurisë së Rusisë.

Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Petro Poroshenko ka deklaruar se mundësitë për një përshkallëzim të konfliktit në rajonin Donbas mbetet i lartë.

Ai i është referuar pranisë së një grupi ushtarakësh në rajonin e Leopolit, në perëndim të Ukrainës, i cili sipas tij përbën një kërcënim serioz.

“Nuk e përjashtojmë një pushtim tërësor nga Rusia në të gjitha drejtimet. Ne jemi gati, forcat tona të armatosura janë gati t’i bëjnë ballë armikut si nga lindja (ku ndodhet rajoni Donbas) ashtu edhe përgjatë kufirit administrativ me Krimenë”, ka thënë Poroshenko.

Top Channel