Historia përmes fotografisë

19/08/2016 00:00

Imagjinoni si do të ishte jeta dhe bota pa fotografi. Pa të, nuk do të kishim asnjë mundësi për të eksploruar botën në cepat e skajet e saj edhe pa i vizituar ato, nuk do të kishim mundësi për të ndarë jetën tonë me të dashurit, nuk do të ekzistonte shprehja 1 foto sa për 1 mijë fjalë, e thënë shkurt realitetin s’do të mund ta dokumentonim për jetë.

Sot, fotografia është bërë pjesë e paimagjinueshme e jetës sonë dhe ky 19 gusht shënon 177 vjetorin e aparatit të vogël, që njihet edhe si dita botërore e fotografisë.

E nëse qindra vite më parë për të realizuar dhe për të pasur në dorë një fotografi, nevojiteshin së paku 8-10 orë punë, sot me një klikim të thjesht brenda 2-3 sekonda mund të realizojmë një foto, që lehtësisht shpërndahet kudo dhe printohet po aq lehtë. Jetojmë në epokën dixhitale.

Muajt e fundit fotografia ka marrë të tjera dimensione, për të përcjellë atë që pamjet dhe lajmet nuk i transmetojnë dot, siç është fotoja më e fundit e vogëlushit Omran nga Alepo ulur në heshtje në një ambulancë apo e 3 vjeçarit Aylan, që u gjet i pajetë në bregdetin e Bodrumit, në Turqi.

Historia duket se tregon më lehtë me një fotografi, qoftë ajo një ndeshje futbolli apo një tërmet apo brutalitetin e një lufte.

19 gushti, u shpall si ditëlindja e fotografisë nga shpikja e procesit të daguerreotipisë, një proces fotografik i zhvilluar nga Joseph Niepce dhe Louis Daguerre që në 1837. Disa muaj më vonë, qeveria franceze njoftoi shpikjen si një dhuratë që mund të përdorej lirisht nga bota.

Top Channel