Marnikollaj, policia greke: Hetim i brendshëm për rrethanat e vdekjes

18/08/2016 00:00

15 ditë nga vdekja e shtetasit shqiptar Pëllumb Marnikollaj ka reaguar policia greke. Në një komunikatë për shtyp, polica lokale thotë se me urdhër të drejtorit të përgjithshëm është urdhëruar një hetim i brendshëm lidhur me rrethanat e vdekjes së emigrantit, ngjarje e ndodhur më datë 03 gusht 2016, hetim ky që do t’i bashkangjitet hetimeve të Prokurorisë së Athinës.

Sipas policisë helene, tashmë janë sekuestruar dhe po verifikohen nga shërbimi i brendshëm i policisë greke të gjitha pamjet filmike, brenda dhe jashtë rajonit të policisë, si dhe dëshmitë e policëve që ndodheshin në shërbim, ekspertiza dhe këqyrja e vendngjarjes, si dhe një sërë materialesh që lidhen me ngjarjen.

Polica thotë se hetimi është nisur prej prokurorisë greke më datë 11 gusht, sapo në zyrat e saj ka mbërritur edhe ekspertiza mjeko-ligjore për rastin.

Top Channel ka mësuar se mjeku ligjor ka konstatuar dëmtime të rënda në kokë dhe hemoragji të brendeshme, të ardhura nga një rënie nga lartësi e madhe, çka kanë sjellë dhe vdekjen e të riut shqiptar në spitalin e Athinës 6 orë pas ngjarjes.

Burime policore i thanë TCH se në pamjet e sekuestruara duket qartë e gjithë ngjarja, çka hedh poshtë dyshimet për ushtrim dhune ndaj emigrantit shqiptar.

Të njëjtat burime hedhin poshtë zërat se viktima është dërguar për t’u varrosur si i paidentifikuar, por është dërguar për ruajtje në morg, në pritje të përfundimit të ekzaminimit të trupit prej mjekut ligjor.

Në njoftimin e saj, policia greke thotë se pak orë pas humbjes tragjike të jetës së emigrantit shqiptar është njoftuar edhe ambasada shqiptare nëpërmjet një faksi, por ky njoftim ka mbërritur në sektorin konsullor, mes një numri të pafund shkresash zyrtare dhe jo në numrin e zyrës së kontaktit të policisë shqiptare në Athinë, sikundër duhet të ndodhte.

Ende nuk mund të thuhet nëse dërgimi i faksit ka qenë i qëllimshëm, apo një rastësi, por tashmë është e sigurtë se policia shiptare është lënë jashtë dijenisë për ngjarjen, deri më datë 14 gusht, kur ajo është bërë publike në mediat shiptare.

Top Channel