Vdekja e emigrantit në Greqi, avokatja: U hodh pasi iu komunikua arresti

17/08/2016 00:00

Avokatja greke, e cila po ndjek nga afër çështjen e emigrantit shqiptar që ka humbur jetën në rajonin e policisë së Kato Patisia në Athine, ka deklaruar për Top Channel se Pëllumb Marnikollaj nuk ka pasur asnjë shenjë tjetër dhune në trupin e tij përveç se goditjeve në kokë nga rënia në lartësi, sipas ekspertizës së mjekut ligjor.

Ajo ka pohuar se emigranti shqiptar është paraqitur në rajonin e policisë në orën 15:00 të datës 3 gusht dhe në një prej zyrave të katit të dyte i është bërë e ditur nga një oficere policie dhe një kolegu i saj, se ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti i ri nga policia e Pireut për një vjedhje të kryer nga ai në javët e fundit.

Sipas saj, Marnikollaj që ka qenë pa pranga kur i është komunikuar ky vendim duke kujtuar se edhe pjesa e zyrave pas ndërtesës do të kishte të njëjtën lartësi me atë para rajonit, ka hapur derën e ballkonit dhe është hedhur për t’i shpëtuar arrestit.

Por ballkoni në fjalë ka pasur edhe dy kate të tjera lartësi në pjesën e pasme dhe Marnikollaj ka rënë me kokë duke marrë plagë vdekjeprurëse. Megjithëse është çuar në spital ka humbur jetën rreth gjashtë orë më vonë.

Sipas avokates, që nuk ka dashur ripublikimin e emrit të saj, për të gjithë ngjarjen në fjalë është lajmëruar sipas rregullave Ambasada shqiptare në Athinë dhe çdo dokument ndodhet në dosjen e policisë greke që ka hapur një hetim për çështjen.

Gjithashtu, ajo ka pohuar se kur është kërkuar nga vëllai i viktimës për të qenë i pranishëm me një mjek të zgjedhur prej tij për raportin përfundimtar të mjekut ligjor, ai nuk ka pranuar, por ka kërkuar vetëm të marrë trupin e viktimës dhe ta çojë në Shqipëri.

Top Channel