Mungesa e rrugës Ersekë-Korçë, PD: Qeveria nuk ka prioritet qytetarët

14/08/2016 00:00

Sekretari demokrat për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji, përmes një komunikate për shtyp të kësaj të diele ka denoncuar atë që e quan si lënie të papërfunduara të qindra projekteve infrastrukturore, që sipas tij kanë edhe financimin gati, prej 3 vitesh nga qeveria e kryeministrit Rama.

I pranishëm në rrugën kombëtare Korçë-Ersekë, ku punohet prej 3 vitesh e gjysmë, por mbetet ende e papërfunduar, Salianji tha se kjo qeveri nuk ka prioritet qytetarët, por vetëm interesat e saj të ngushta, të një klani narkotrafik që po pasurohet me vjedhjen e taksave të shqiptarëve.

“Qeveria dhe Edi Rama, pavarësisht se ka gjetur projekte të gatshme, pavarësisht se janë lënë qindra projekte të financuara nga qeveria e mëparshme, nuk di dhe nuk ka bërë asnjë investim në infrastrukturë. Sot jemi në një nga rrugët e Shqipërisë e lënë e gatshme me projekt dhe financim të cilën Edi Rama nuk e ka përfunduar ndonëse afati i përfundimeve ishte në Qershor dhe sot vazhdon të jetë në këtë gjendje të mjeruar. Kjo rrugë vijon të jetë kosto për më shumë se 20 mijë banorë të rrethit të Kolonjës, që vazhdon të shkaktojë kosto për fermerët e kësaj zone për të nxjerrë produktet e tyre në treg, e që vazhdon të krijojë kosto për të gjithë familjarëve që përveç kostove kohore, kanë kosto të tjera financiare që janë të detyruar ti përballojnë si për naftë ashtu edhe për amortizimin e mjeteve. Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të banorëve të kësaj zone, qeveria nuk ka marrë asnjë masë për ti çuar deri në fund projektet e lëna gati. Sepse kjo qeveri e ka braktisur qytetarin dhe e vetmja detyrë e synim e kësaj qeverie është është pasurimi me taksat e shqiptarëve, është pasurimi i narkotrafikantëve. Për këtë arsye Shqipëria është më mirë pa Edi Ramën. Për këtë arsye Shqipëria ka nevojë për një qeveri tjetër e cila në themel të ketë interesat e qytetarëve shqiptarë dhe jo interesat e një klani të ngushtë që ka themeluar një republikë të drogës në Shqipëri”, tha Salianji.

Për këtë mungesë investimi ka folur edhe kreu i PD-së së Ersekës, Viktor Dura, që siç thotë ai, ka sjellë edhe shkatërrimin e ekonomisë së banorëve të zonës.

“Ka 3 vite e gjysmë që kanë nisur punimet, por siç e shihni është e njëjta gjendje. Që nga fshatrat e Korçës, por edhe krahina e Kolonjës, që përfshin Leskovikun, vuajnë mungesën e kësaj rruge. Bujqësia e vuan më shumë. Rruga e keqe ka prishur edhe makinat. Nuk kanë ndërmend për ta asfaltuar këtë rrugë”, tha Dura.

Rruga e mësipërme lidh më shumë se 20 mijë banorët e Kolonjës me Korçën, të cilët në mungesë të saj e kanë tepër të vështirë të dërgojnë produktet bujqësore në treg, apo të presin turistë në një nga zonat më të bukura të juglindje të vendit.

Top Channel