Vlorë, policia shpëton dy persona nga mbytja

13/08/2016 00:00

Policia kufitare e Vlorës u ka ardhur në ndihmë dy personave, të cilët rrezikonin të mbyteshin teksa po lundronin me një gomone.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme, pranë ishullit të Zvërnecit, ku rrymat e forta detare por edhe era e fortë e kanë spostuar varkën ku ndodheshin dy të rinjtë rreth 2 kilometra larg bregut.

Persona të tjerë që kanë vënë re problemin kanë njoftuar menjëherë policinë, e cila u ka ardhur në ndihmë dy shtetasve me mjete lundruese “BP-05”.

Me të mbërritur në breg policia ka bërë identifikimin e tyre; ata janë shtetasit me iniciale E.H dhe S.B, 36 dhe 31 vjeç, lindur në Tiranë por me banim në Itali.

Kontrollet mjekësore kanë konfirmuar se ata janë në gjendje të mirë shëndetësore, thuhet në një njoftim për shtyp të policisë së qytetit jugor.

Top Channel