“Rio 2016”, Ishujt Fixhi hyjnë në histori

12/08/2016 00:00

E pabesueshme, por e vërtetë. Kombëtarja e regbisë me 7 lojtarë e Ishujve Fixhi mposhti 43-7 përfaqësuesen britanike dhe mori medaljen e parë të artë në një Olimpiadë.

Një sukses ky për një shtet që nuk i kalon 1 milionë banorët dhe që përbëhet nga 330 ishuj. Fixhi është vendi i 149 në botë që arrin të marrë medalje në Olimpiadë. Kjo disiplinë sportive është bërë pjesë e olimpiadave pikërisht në Rio dhe ishujt Fixhi hyjnë në histori si fituesit e parë të këtij sporti. 

Biles, e pathyeshme në gjimnastikë

Pas suksesit me skuadrën amerikane, 19-vjeçarja Simone Biles mori medaljen e artë edhe në garën individuale në gjimnastikën artistike. Ajo mblodhi 62.198 pikë, duke lënë pas vetes bashkëkombasen e saj Alexandra Raisman, e cila mori medaljen e argjendtë, ndërsa atë të bronztë e fitoi rusja Alyja Mustafina.

Çekia merr arin e parë. Xhudisti Krpalek fiton finalen ndaj azerit Gasimov

Çeku Lukas Krpalek mori medaljen e artë në xhudo në kategorinë 100 kg. Ai mundi në sfidën finale azerin Elmar Gasimov, duke i dhënë medaljen e parë të artë Çekisë në këtë sport dhe në këto Lojëra Olimpike. 

Ndërkohë, në kategorinë e femrave në peshën 78 kg, medaljen e artë e fitoi Kayla Harrison, e cila bëhet dhe amerikania e parë që arrin të mbrojë medaljen e artë në Olimpiadë në sportin e xhudos.

Amerika, e para në not

Amerika duket se është e pathyeshme në sportin e notit. Ryan Murphy triumfoi edhe në garën e 200 m stil shpinë, duke u konfirmuar si sportisti më i mirë në këtë disiplinë. Surpriza e madhe u regjistrua në garën e 100 metrave stil i lirë për femra, ku favoritja kryesore Cate Campbell e mbylli garën në vendin e gjashtë. Gjithsesi, në pod u ngjit amerikania Simone Manuel e cila ndau medaljen e artë me 16-vjeçaren kanadeze Penny Oleksiak. Me kohën 52 sekonda e 70 të qindtat ato vendosën dhe një rekord të ri olimpik në këtë disiplinë.

Dy kushërinjtë medalistë. Sllovakët Ladislav dhe Peter Skandar triumfojnë në kanoe

Medaljen e artë në kanoe dyshe për meshkuj e fituan dy kushërinjtë sllovakë: Ladislav dhe Peter Skandar. Ndërkohë që shumë sportistë sllovakë janë kthyer duarbosh nga Rio, 33-vjeçari Ladislav dhe 34-vjeçari Peter duhet të mburren me këtë medalje, e cila i vjen pas 24 vjetësh Sllovakisë.

Top Channel