PD, Sherefedin Shehu për kryebashkiak të Dibrës

11/08/2016 00:00

Partia Demokratike vendosi të përfaqësohet me Sherefedin Shehun në zgjedhjet e 11 shtatorit në Dibër. Vendimi u mor pas disa ditë diskutimesh me faktorët lokalë opozitarë në zonën e Dibrës, në mënyrë që ata të jenë të bashkuar dhe votat opozitare të përqëndrohen te kandidati Sherefedin Shehu.

Në zgjedhjet e fundit lokale, kandidati i Partisë Demokratike nuk doli fitues i Bashkisë së Dibrës për shkak se opozita u përça në 3 kandidatë. Burime nga Partia Demokratike konfirmojnë se, mosmarrëveshjet mes faktorëve opozitarë në Bashkinë e Dibrës janë sheshuar dhe ata kanë rënë dakord të mbështetsin Sherefedin Shehun.

Zoti Shehu do të lëshojë mandatin e deputetit për t’u regjistruar si kandidati zyrtar i koalicionit opozitar në Bashkinë e Dibrës. Sherefedin Shehu u përfshi në politikë në vitin 2005, kur u emërua zëvendësministër i Financave në qeverinë e parë të kryeministrit Berisha.

Ai është deputet i Qarkut të Dibrës që në zgjedhjet e vitit 2009, por tani i duhet të provojë mbështetjen te votuesit dibranë, në një moment të rëndësishëm për opozitën, e cila i konsideron zgjedhjet për Bashkinë e Dibrës si një test për qeverinë e kryeministrit Rama.

Vendimi vjen pak ditë pasi Presidenti i Republikës shpalli me dekret presidencial datën 11 shtator si ditën e zgjedhjeve të pjesshme lokale në Bashkinë Dibër, ndërkohë që KQZ-ja ka vijuar punët për procedurat e mëtejshme, përfshi edhe përbërjen e KZAZ-së së Dibrës. KZAZ-ja me numër 19 do të përbëhet nga 8 anëtarë; 3 të propozuar nga Partia Socialiste, 3 nga Partia Demokratike, 1 nga Partia Republikane dhe 1 nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Sa i përket pasuesit të deputetit Sherefedin Shehu në organin legjislativ, pritet të konfirmohet nëse do të jetë Ekrem Spahia, i radhës në listën për deputetë në atë zonë që pasohet nga Bedri Hoxha, apo emri tjetër që përflitet, Dhurata Çupi, që siç bëhet e ditur mund të marrë mandatin e Shehut për shkak të plotësimit të kuotave gjinore në zonën e Dibrës për Partinë Demokratike.

Zgjedhjet në Dibër mbahen pas shkarkimit të ish-kryebashkiakut Shukri Xhelili, për shkak të videoskandalit ku shfaqej të kërkonte favore seksuale për një vend pune të ofruar.

Top Channel