Falsifikon dokumentat, ndalohet inspektori i Krujës

10/08/2016 00:00

Një punonjës policie pranë komisariatit të Krujës është ndaluar nga kolegët e tij nën akuzën e falsifikimit të dokumentave dhe shpërdorimit të detyrës.

Burime policore zyrtare bëjnë të ditur se kanë qenë agjentët e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat që kanë bërë ndalimin e inspektorit Zenel Balliu, 57 vjeç.

Nga hetimet ka rezultuar se më 31 mars të këtij viti, Balliu ka plotësuar një procesverbal për shkelje administrative të një automjeti të parkuar gabim.

Më pas, këtë fletë ai nuk ia ka dorëzuar pronarit të mjetit, por pasi ka fshirë rubrikat e ka plotësuar për një mjet tjetër dhe për një shkelje tjetër.

Pas konstatimit, agjentët e SHÇBA-së kanë kryer verifikimet dhe kanë ndërmarrë procedurat e parashikuara për ndalimin e inspektorit.

Tashmë materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit të Krujës për procedimin e mëtejshëm të 57-vjeçarit.

Top Channel