Burg për shefin e sigurisë, detyrim paraqitjeje për drejtorin

10/08/2016 00:00

Gjykata dha masën arrest me burg për shefin e sigurisë së bankës që u grabit në fundjavë në mes të ish-Bllokut në Tiranë, me argumentin se ka qenë detyra e tij për të garantuar sigurinë e objektit.

Lirimi i menjëhershëm i drejtorit të filialit të bankës Luigj Gjonaj dhe hetimi i tij në gjendje të lirë me detyrim paraqitjeje dy herë në muaj, u argumentua me faktin se posti i tij nuk kishte detyrë funksionale të kontrollonte perimetrin e brendshëm dhe të jashtëm të bankës në rastet e rënies së alarmit.

E kundërta është për shefin e sigurisë, Florian Skarra, i cili mbeti në arrest me burg, pasi ka qenë detyra e tij që të verifikonte arsyen e rënies së alarmit dhe të garantonte sigurinë e objektit.

Dy të akuzuarit janë shprehur se pavarësisht rënies së alarmit, fakti që dera e dhomës kasafortë ishte e paprekur ka bërë që të mos dyshojnë se mund të çahej muri prej betoni. Ata janë shprehur se alarmi i bankës ka rënë edhe në raste të tjera nga faktorë të ndryshëm të jashtëm si zhurma apo tronditje.

Nga hetimet e deritanishme mësohet se autorët e kësaj grabitjeje të pashembullt, kanë përdorur për të hapur murin e betonit të dhomës kasafortë materiale kimike si dhe një krik hidraulik me shtytje për të shmangur zhurmat.

Brenda dhomës kasafortë, autorët kanë përdorur edhe pasqyrat për kamerat, në mënyrë që këto të fundit të filmonin vetveten.

Top Channel