Mustafa paralajmëron format tjetër të dialogut në Bruksel

07/08/2016 00:00

Kryeministri Isa Mustafa ka paralajmëruar një format krejtësisht tjetër për bisedimet me Serbinë në Bruksel. Ai ka deklaruar se dialogu, si i tillë nuk po jep rezultate dhe ka akuzuar Serbinë për papërgjegjshmëri totale lidhur me zbatimin e marrëveshjeve.

Në një intervistë për “REL”, Mustafa e ka cilësuar “të papërgjegjshme Serbinë në raport me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel” dhe tha se dialogu ndërmjet dy vendeve duhet të rifillojë me format dhe koncept tjetër, dhe se ai duhet të profilizohet, madje edhe të përcaktohet një afat kohor se kur duhet të përmbyllet.

“Ka mbetur që dialogu të rifillojë atëherë kur të konstituohet qeveria e Serbisë, pas zgjedhjeve në Serbi, por ju e shihni se ende kjo nuk po kryhet. Mendoj se dialogu duhet të fillojë me një format dhe koncept krejtësisht tjetër, sepse kjo çka po duket tani lidhur me moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, prolongimin e tyre dhe papërgjegjësinë totale të Serbisë lidhur me marrëveshjet që janë nënshkruar, dhe përforcimet e strukturave paralele, flet se dialogu nuk po jep rezultate për të cilat po zhvillohet dhe nuk ka seriozitet të palës serbe sa i përket dialogut”, është shprehur Mustafa.

Ai ka shtuar se do të bëjë vërejtje konkrete dhe shumë të adresuara në BE, lidhur me këtë gjendje.

“Ne duhet të profilizojmë saktë dialogun, duhet të kemi një agjendë të qartë të dialogut dhe po ashtu duhet të kemi një afat se për sa ne do të dialogojmë, sepse nuk mund të humbim kohë pa kufi me dialog me Serbinë. Po e shohim se nuk ekziston vullneti i palës serbe që të zbatojë marrëveshjet e paketës së dialoguar”, ka thënë ai.

Top Channel