PD: Rama merr në mbrojtje trafikantin

05/08/2016 00:00

Partia Demokratike, nëpërmjet Sekretares së Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma, deklaroi se “Edi Rama mori në mbrojte Agron Xhafajn, një trafikant ndërkombëtar droge, të provuar për aktivitetin e tij nga drejtësia e Venezuelës, madje nga Gjykata e Lartë e saj vendimin e të cilës ka cituar dhe shpërndarë dje Partia Demokratike”.

“Në këtë vendim, që përshkruan aktivitetin e Agron Xhafajt, në shpërndarjen e drogës në Itali, e në vecanti në zonën e Bolonjas, Gjykata e Lartë e Venezuelës thotë se është provuar roli i tij në këtë bandë ndërkombëtare të trafikut të drogës. Por Edi Rama, sulmon me tërbim Gjykatën e Lartë të Venezuelës, sulmon drejtësinë italiane, sulmon opozitën dhe merr në mbrojtje narkotrafikantin ndërkombëtar, Agron Xhafa, vëllai i Fatmir Xhafës. Pse duhet që vëllai i një trafikanti ndërkombëtar droge, me kërkesë ekstradimi për të nga Venezuela të caktohet nga Edi Rama kryetar i reformës në drejtësi?, është pyetja që bën çdo qytetar. “Ku është problemi këtu”, thotë Edi Rama. Nuk është hera e parë që Edi Rama merr në mbrojtje trafikantët dhe krimet e tyre. A nuk bëri të njëjtën gjë me Rroshin që e mban akoma në krye të Kavajës. Me Prengën që e mban akoma deputet. Me Bushin që e promovoi në krye të Krujës. Me Ndokën që e ka bërë te plotfuqishëm në Lezhë. Me Frrokët të cilëve ju fshehu edhe kërkesën për ekstradim, dhe i la të arratisen, me Balilin e Shullazin  të cilëve u ka vënë policinë e strukturat shtetërore në shërbim të tyre. Ka ofruar lehtësi, deri në rrugë të hapura për arratisje. Sepse në të vërtetë, trafikantët e drogës për Edi Ramën janë njerëzit e duhur”, u shpreh Duma.

“Trafikantët e drogës i blenë atij foton me Obamën. Trafikantët e drogës bënë fushatë me Edi Ramën dhe e sollën në pushtet. Prandaj Edi Rama ndan pushtetin me trafikantët e drogës. I ka bërë deputetë, kryetarë bashkish, dhe drejtues të rëndësishëm. Sepse trafikantët janë modeli i tij. Trafikantët e drogës kanë zaptuar territorin e vendit dhe shfrytëzojnë tokën dhe njerëzit për biznesin e tyre kriminal të miliona eurove.
Trafikantët e drogës janë njerëzit e duhur për Edi Ramën, se japin 30 përqind për cdo rrenjë kanabis. Shqiptarët nuk mendojnë si Edi Rama. Shqiptarët mendojnë se droga dhe trafikantët janë e zeza e vendit, që po i marrin frymën ekonomisë së ndershme që duhet të konkurojë me ekonominë e drogës. Shëiptarët e shohin se droga dhe narkotrafikantët po rrënojnë bujqësinë teksa marrin tokat dhe burimet ujore.  Po shkatërrojnë sigurinë e po sjellin cikël krimesh të përditshme, sepse policia ruan kanabisin e tyre dhe ka braktisur detyrën. Trafikantët në bashkëpunim me Edi Ramën po ngrenë perandori financiare mbi mjerimin e fshatarëve që shfrytëzohen me 10 mijë ose 20 mijë lekë në ditë, dhe në kirruz të biznesit të ndershëm dhe punës së ndershme”, shtoi Duma.

Top Channel