Në rrugën e vdekjes; një ditë pas 4 viktimave, asnjë përgjegjës

03/08/2016 00:00

Kthesa problematike në rrugen që lidh Vilunin me Velipojën, ku humbën jetën 4 persona mëngjesin e 2 gushtit, mbetet e rrezikshme për drejtuesit e mjeteve. Megjithë jehohën kritike pas aksidentit, ndarëset e rrugës me kanalin e Hidrovorit të Vilunit nuk janë vendosur ende.

Komuniteti dhe drejtuesit e mjeteve që frekuentojnë zonën për të pushuar, thonë se e kanë ngritur këtë shqetësim prej vitesh dhe bëjnë thirrje që autoritetet të marrin masa serioze që aksidentet të tilla të mos përsëriten me.

Por për Autoritetin e Rrugëve, fajtorë janë pikërisht ata, shoferët. Drejtori i rrugëve thotë se aksidenti ka si shkak shpejtësinë e lartë dhe se ka ndodhur jashtë juridiksionit të ARRSH, në kufirin ku ndahet pronësia e rrugës me Bashkinë e Shkodrës. Për pjesën e tij, ai thotë se rruga ka qenë e pajisur me sinjalistikë.

“Nuk ka ndodhur në aksin që i përket juridiksionit të Autoritetit Rrugor Shqiptarë. Ka ndodhur 30 metra jashtë këtij aksi, pra në një aks lokal. Dua të theksoj se në aksin që menaxhohet nga ARRSH, që është i përfunduar para një viti, tabelat kanë qenë të gjitha”, thotë drejtori i Përgjithshëm i ARRSH, Dashamir Xhika.

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar thotë se po bëhen deklarata nga individë dhe institucione që duan të largojnë përgjegjësinë nga vetja. Por ai pranon pamundësinë financiare që institucioni i tij ka për të garantuar sigurinë rrugore.

“Nevojat në akset kombëtare për të patur rrugë me standarde bashkëkohore janë diku tek 400 milionë dollarë”, shton ai.

Top Channel