Trump vërshon në Twitter kundër Hillary Clinton

29/07/2016 00:00

Fjalës dhe kritikave të Hillary Clinton në natën kulminante të Konventës së Demokratëve në Filadelfia, Donald Trump iu kundërvu me një stuhi “cicërimash” në rrjetin social Twitter.

Trump u ndal tek pikat kyçe të programit politik të kandidates demokrate, që nga politika për emigrantët, terrorizmi dhe deri tek “Wall Street”.

“Askush nuk logjikon më keq sesa Hillary Clinton. Korrupsioni dhe shkatërrimi e shoqërojnë atë kudo që shkon”, nisi reagimin e tij kandidati i republikanëve.

Trump e quan kërcënim bindjen “globaliste” të rivales demokrate.

“Vizioni i Hillaryt është një botë pa kufij, ku amerikanët nuk do të kenë as pushtet, as punë dhe as siguri”, shkruan ai.

Sa për terrorizmin Trump thotë se “lufta e Hillary Clinton në Lindjen e Mesme ka çliruar shkatërrimin dhe terrorizmin e ISIS-it në shkallë globale”.

“Mënyra jonë e jetesës, vetë jeta jonë është nën kërcënim nga Islami Radikal dhe Hillary nuk guxon as që ta përmendë këtë”, shkruan më tej republikani.

Pika e vetme e politikës së brendshme që u ndal miliarderi njujorkez ishte “Wall Street”.

“Hillary nuk do të mund të reformojë kurrë Wall Street. Ajo kontrollohet nga Wall Street”, shkruan ai.

Top Channel