Është loja më e fundit virtuale që po çmend disa pjesë të globit, e kësaj manie nuk i kanë shpëtuar as rusët. Sfida është të ndjekësh krijesat virtuale të quajtura “Pokemon” në vende nga më të ndryshmet, nisur nga ambienti ku ti ndodhesh.

Ajo është përhapur me një shpejtësi marramendëse, aq sa bllokimi i serverave përpara pak ditësh dëshpëroi shumë njerëz. Rusët janë tërbuar pas kësaj loje, që përpara lançimit të saj zyrtar në vend.

“Kam 10 ditë që luaj. E kam pritur prej një kohe të gjatë këtë lojë dhe më pëlqen ideja, sepse Pokemonin e kam parë që kur shkoja në shkollë fillore. Përpos kësaj, loja vet është mjaft interesante pasi eksploron realitetin tënd dhe e shkrin me procesin e të luajturit. Për çdo rast të bën mirë, sepse të detyron të dalësh jashtë e të ecësh”, tha Yura, lojtar i “Pokemon Go”.

“Kjo lojë më bën të ndiej nostalgji. Më kujton fëmijërinë time. Është shumë e këndshme të ndjekësh pokemonët. Më bën të dal e të lëviz, e jo të rri e mbyllur në një vend me ekranin përpara. Edhe nëse nuk lëviz, të bën të rrish jashtë nëpër parqe”, tha Maria, lojtare e “Pokemon Go”.

Kritikat ndaj lojës që ka veti ngjitëse nuk kanë munguar. Aq shumë hutohen njerëzit pas saj, sa janë raportuar edhe raste aksidentesh. “Pokemon Go” që shkarkohet në celularët Android është bërë kaq popullore, pasi ofron një eksperiencë të ndryshme nga ato të mëparshmet, duke përdorur kamerën e telefonit për të krijuar pamje “live” të një bote virtuale me “pokemonin” pjesë të saj.

Top Channel