“Masterclass”-i i Agim Hushit

25/07/2016 00:00

Tenori Agim Hushi ka zgjedhur këtë vit që “masterclass”-in e tij të përvitshëm ta zhvillojë në Durrës.

Shefi i Katedrës së Operas, në Konservatorin e Vjenës, ka përzgjedhur studentë nga vende të ndryshme të botës dhe disa të rinj shqiptarë të talentuar, për t’iu dhënë atyre eksperiencën e tij.

“Në Shqipëri u kam dhënë mundësi edhe atyre studentëve që janë mendjehapur, të vijnë të dëgjojnë diçka krejt të veçantë nga ajo që ndodh në vend”, thotë tenori Agim Hushi.

Në syrin e tij nuk ka kaluar pa u vënë re mungesa, apo mangësitë në mënyrën e funksionimit të mësimdhënies në shkollat e muzikës. Tenori e sheh të zvogëluar funksionin e saj, por edhe të shndërruar në një rol protektoriati.

“Shkolla ushtron një trysni në vendimmarrjen e studentëve, në lirinë e të mësuarit, gjë që frenon talentin, shkollën vet, e mbi të gjitha i sjell një dëm të konsiderueshëm kulturës”, thotë më tej Hushi.

E ndërsa Agim Hushi e ka fituar famën e tij si talent botëror dhe një prej ekspertëve më të mirë të “belkantos” në Europë, duke qenë gjithmonë në kërkim të fatit dhe duke qenë këmbëngulës në rrugën e tij, ka edhe një mesazh për të rinjtë e talentuar shqiptarë.

“I ftoj të gjithë të hapin sytë, të dëgjojnë e të mos e absolutizojnë gjeografinë. Sepse të thuash që unë do të shkoj në Gjermani, Francë apo Itali, nuk do të thotë që artist nuk bëhesh kudo”, thotë Agim Hushi.

“Masterclass”-i do të përfundojë më 31 korrik në sallën e Teatrit “Aleksandër Moisiu” dhe në fund do të jepen 3 çmime për artistët më të mirë.

Top Channel