Rasim Doda në gjyq: Është kurth, kam besim tek drejtësia

22/07/2016 00:00

Një ditë pas votimit për reformën në drejtësi, Rasim Doda, gjyqtari i pezulluar nga detyra për dyshimet e korrupsionit, i kërkoi drejtësisë kohë të përgatitet për t’u mbrojtur.

Pas pretencës së prokurorisë që kërkoi pesë vjet burgim dhe tre vjet heqje e të drejtës për të ushtruar funksione publike, gjyqtari i akuzuar thotë se ka besim tek drejtësia.

“Unë kam besim që si puna ime ka shumë gjyqtarë të ndershëm. Unë kam qenë pro-reformës sepse unë jam një gjyqtar që në Republikën e Shqipërisë i plotësoj të gjitha standardet që na kërkon Bashkimi Europian për gjyqtarët. Flas në kuptimin profesional, moral dhe të gjitha aspekteve të tjera, unë i plotësoj të gjitha kriteret. Problemi është si do të implementohet. Unë kam mendimin që njerëz të ndershëm, gjyqtarë, prokurorë ka sa të duash, por pjesa më e shëmtuar është ajo që bën këto kurthe në të cilën gjendem unë”, deklaroi Doda.

Sipas prokurorisë, Doda ka kërkuar 80 mijë euro në shkëmbim të dhënies së një vendimi gjyqësor, por gjyqtari këmbëngul se është viktimë e një kurthi pasi sipas tij ai ka zbatuar vetëm ligjin.

Top Channel