LSI: Konsensusi historik. Vasili shmang përgjigjet për “krizën me PS”

22/07/2016 00:00

Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili doli sot në një deklaratë për mediat ku foli për votimin e reformës në drejtësi gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm në Parlament.

Vasili tha se ishte një konsensus patriotik dhe historik, i cili i bashkoi shqiptarët për këtë reformë. “Votimi i reformës në drejtësi ishte unikal. Nga sot politika shqiptare nxjerr mësime të tjera. Të gjitha muret e panevojshme që e mbajnë në vend atdheun tonë janë të padobishme”, tha Vasili.

Kreu i grupit parlamentar të LSI nuk la pa përmendur edhe ndërkombëtarët për rolin e tyre në këtë konsensus. “Është vendi që në mënyrë të merituat të vlerësojnë rolin e SHBA dhe të BE, por edhe të gjithë ndërkombëtarët. Roli i tyre, eksperienca dhe kultura e tyre e ndihmoi procesin e ndërtimit të një reforme në drejtësi. Pikërisht të asaj drejtësi që jemi munduar të ndërtojmë në këto vite”.

Teksa u pyet nëse do të ishte arritur konsensusi pa ndërhyrjes e Ilir Metës, ai u shpreh se kreu i Kuvendit bëri atë që bën një qytetar i mirë dhe një atdhetar i mirë. “Ishte një veprim shembullor që duhet të marrë çdo figurë institucionale”.

Vasili u pyet edhe për koalicionin qeverisë PS-LSI pas votimit në mënyrë unanime të kësaj reforme, por u shmang të japë një përgjigje.

Top Channel