Kualifikohet Shkëndija, tetovarët mposhtin 1-0 Neftchi Baku

21/07/2016 00:00

Shkëndija nuk zhgënjen, skuadra kuqezi nga Tetova siguron biletën për në turin e tretë paraeliminator të Europa League pasi kaloi azerët e Neftchi Baku në Shkup pas një 90 minutëshi të dominuar në çdo aspekt.

E ndihmuar nga mijëra të pranishmit në shkallët e stadiumit të kryeqytetit, Shkëndija tregoi zemër, karakter, fuqi fizike por edhe aftësi teknike në një ndeshje pa shumë gola por me një epërsi të dukshme territoriale.

Në minutën e 31, Todorovski dhuroi një top të artë dhe Hasani me zgjuarsi në zonë e la për Ibraimin që ngriti peshë tifozët shqiptarë në stadiumin “Filipi II”.

Në stadium pllakosi heshtja kur në sektorin e tifozëve kuqezi u shfaq banderla me mbishkrimin “Edhe unë jam Almiri”. Një homazh nga tifogrupi “Ballistët” në nder të vogëlushit shqiptar 4-vjeçar të vrarë në mënyrë barbare disa ditë më parë.

Ndeshja mori një rrjedhë pa kthim 20 minuta nga fundi kur Sikov u ndëshkua me të verdhin e dytë duke e lënë Neftchin me 10 lojtarë. Një moment vendimtar pasi në harkun e disa minutave, Todorovski dhe Ibrahimi rrezikuan të shënonin golin e dytë por pa ia dalë mbanë.

Kaq mjaftoi që ekipi tetovar të siguronte një kualifikim për në fazën e tretë ku gjen një kundërshtar dukshëm më të fortë. Bëhet fjalë për çekët e Mladá Boleslav që do të sfidojnë kuqezinjtë në 28 korrik në Shkup dhe një javë më pas në Çeki.

Top Channel