Reforma, gjendje pezull në organet e prokurorisë dhe gjykatave

21/07/2016 00:00

Procesi ndaj ish-prokurorit Petrit Vukaj, nën akuzë për korrupsion ishte një ndër seancat e shumta të shtyra gjatë ditës. Mes përplasjeve të ethshme të politikës për votimin e reformës në drejtësi, në gjyqësor fryma ndihet pezull.

Megjithëse qytetarë që janë palë në procese kanë vijuar rutinën duke pritur në stola, gjyqtarët e prokurorët jo pak herë kanë braktisur zyrat për të mësuar nëpër lokale se çfarë ndodhte ndërkohë në Parlament.

“Ne punojmë dhe presim ndonjë lajm”, tha gjyqtari Kreshnik Omari për mikrofonin e Top Channel.

“Sytë i kemi nga Parlamenti, por kemi vijuar normalisht. Ka patur seanca. Një proces u shty se avokati ishte me leje, por besoj se njerëzit në përgjithësi do të jenë të qetë pasi do ta kuptojnë se ky nuk është faji i drejtësisë por i politikës”, tha gjyqtari tjetër Gert Hoxha.

Madje, ka nga ata gjyqtarë që shfrytëzojnë kohën për të paguar faturën e dritave dhe të ujit. E ndërsa në të gjitha institucionet e drejtësisë pritja është e lexueshme, edhe gazetarët e drejtësisë në një ditë të tillë duket se kanë mbetur pa punë.

Top Channel