Francë, gjendje emergjence deri në janar 2017. Valls: Do të ketë sulme të tjera

20/07/2016 00:00

Asambleja Kombëtare e Francës ka miratuar zgjatjen e gjendjes së emergjencës edhe për 6 muaj të tjerë. Lëvizja vjen pas sulmit vdekjeprurës të javës së kaluar në Francë, gjatë të cilit humbën jetën 84 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, kur një terrorist drejtoi kamionin e marrë me qira drejt turmës së njerëzve, mes të cilëve edhe shumë fëmijë, që po festonin Ditën e Bastijës.

Gjendja e emergjencës në Francë është futur në fuqi që pas sulmeve terroriste në Paris gjatë nëntorit të vitit të kaluar, kur mbetën të vdekur 130 persona.

Kryeministri francez, Manuel Valls tha se Franca duhet të jetë e përgatitur të presë të tjera sulme terroriste, pavarësisht masave parandaluese të ndërmarra nga qeveria e drejtuar prej tij. Duke folur pas debatit në Asamblenë Kombëtare, ai tha se Franca duhet të mësohet të jetojë me kërcënimet.

“E di që këto fjalë janë shumë të rënda për t’u thënë, por është detyra ime t’iu paralajmëroj – tha ai. – Do të ketë të tjera sulme terroriste dhe mund të ketë të tjerë viktima të pafajshme. Ne nuk duhet të mësohemi kurrë me terrorin e ta konsiderojmë atë të zakonshëm, por duhet të mësohemi të jetojmë me një kërcënim të tillë”.

Zgjatja e rakorduar në orët e para të së mërkurës nënkupton që gjendja e emergjencës në Francë do të vijojë deri në janar të vitit 2017. Kjo është e katërta shtyrje e propozuar nga Parlamenti francez, ndërkohë që pret të miratohet edhe nga Senati.

Masat emergjente i japin policisë pushtet shtesë për të zhvilluar bastisje apo për të vendosur njerëz të dyshuar nën arrest shtëpie. Më herët gjatë këtij muaji, Presidenti Francois Hollande tha se nuk kishte ndërmend ta shtynte gjendjen e emergjencës përtej 26 korrikut, e cila u bë në fakt për të ofruar siguri gjatë kampionatit europian të futbollit, por edhe Turit çiklistik të Francës.

Megjithatë, një hetim i fundit i një komisioni parlamentar zbuloi se gjendja e emergjencës ka një “impakt tepër të kufizuar” mbi përmirësimin e sigurisë. Komisioni hodhi dyshime mbi efektivitetin dhe nevojën e dërgimit të rreth 6.000 apo 7.000 ushtarëve në mbrojtje të shkollave, sinagogave, qendrave tregtare, apo edhe vendeve të tjera me rrezik të lartë për t’u vënë nën shënjestrën e sulmeve terroriste.

Top Channel