Nisë, masakra që nuk kurseu askënd; fëmijë e të rritur, banorë e turistë

15/07/2016 00:00

Fëmijë e të rritur, banorë të Nisës e turistë, ka nga të gjithë mes viktimave të çmendurisë së një nate më parë. Nga dhjetëra të lënduar, 54 janë të mitur që po marrin trajtim mjekësor në spitalin pediatrik Lenval.

Fatima Charrihi ishte e para që vdiq sipas djalit të saj. Gjithë çfarë mund t’iu them në këtë moment për nënë time, u shpreh ai, është se mbante perçe e praktikonte Islamin, atë të vërtetin ama, jo versionin terrorist.

Një prej personave të tjerë të vrarë aq mizorisht është zëvendës shefi i policisë kufitare të Nisës, Jean-Marc Leclerc. Tre shtetas gjermanë janë në mesin e të zhdukurve, sipas zyrtarëve në Berlin.

Raporte të pakonfirmuara flasin për tre klasa nga një shkollë e kryeqytetit gjerman, të cilat ishin në ekskursion në këtë qytet, e rreshtojnë mes të vdekurve një mësues dhe dy fëmijë.

I vrarë në vend ka mbetur dhe 60-vjeçari Robert Marchand. Nuk kanë mundur të dalin gjallë nga sulmi vrastar as turisti amerikan, Sean Copeland, 51 vjeç dhe djali i tij 11 vjeçar, Brodie. Se çfarë përjetuan në ato momente njerëzit e mbledhur në shëtitoren buzë detit, e tregon qartë dëshmia e këtij të mbijetuari.

“Kishte gjithandej njerëz të shtrirë në tokë, vendi ishte i mbushur me të vdekur. U përpoqa të mos shikoj, u përpoqa t’i mbaj sytë lart sepse nuk doja të shihja, ishte tepër, tepër e dhimbshme”, u shpreh Karim Laamara.

U bënë disa goditje brenda vitit në Francë që paralizojnë ndjenjën e sigurisë. Si do t’ia bëjmë për të mos e lënë ankthin të pushtojë përditshmërinë tonë, pyet Le Figaro në njërin prej artikujve të tij kushtuar tragjedisë së Nisës, si do ta kapërcejmë friken e daljes në rrugë dhe vazhdimit të jetës si normalisht.

Top Channel