Solidaritet me Francën, reagimet pas sulmit terrorist në Nisë

15/07/2016 00:00

Belgjika ishte ndër të parat vende që tregoi solidaritet me Francën, presidenti Barack Obama përcolli ngushëllimet e tij, në nder të viktimave në Nisë ndërtesa e Senatit meksikan u ndriçua me ngjyrat e flamurit francez, ndërsa kryeministri kinez Li Keqiang deklaroi se vendi i tij e dënon me forcë terrorizmin e të gjitha formave dhe shprehu keqardhje për jetët e humbura.

Nga kryeqyteti i Mongolisë, Ulan Bator, ku ndodhen për samitin e ASEM-it, kryeministri japonez Shinzo Abe, presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk dhe presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker shprehën mbështetjen e tyre për Francën në këtë moment të vështirë.

“Bashkimi Europian dhe Japonia janë të bashkuara në vendosmërinë e tyre për të luftuar terrorizmin, dhunën ekstreme dhe urrejtjen. Ne vajtojmë sot viktimat e sulmeve tragjike në Nisë dhe Dhaka dhe zotohemi të punojmë krah për krah njëri-tjetrit për t’i bërë ballë murtajës së terrorizmit”, deklaroi Tusk.

“Akti barbar terrorist në Nisë më tronditi thellësisht. Edhe një herë kaq shumë jetë të prera në mes. Kur do të marrë fund e gjithë kjo”, u shpreh Juncker.

Për sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, ngjarja e Nisës tregon se përpjekjet kundër terrorizmit duhen përshpejtuar. “Njerëzit në të gjithë botën shohin nga ne e presin që të gjejmë një mënyrë më të shpejtë e më të qartë për t’i bërë të ndjejnë se është bërë çdo gjë e mundur për t’i dhënë fund kësaj fshikullime terrorizmi e për të bashkuar botën”, deklaroi Kerry.

Për solidaritet me Francën foli dhe kancelarja Angela Merkel. “Keqardhja jonë e thellë nuk e kompenson dot kurrë humbjen e kaq shumë jetëve, por në ditë si këto duhet të ketë solidaritet dhe ai i popullit gjerman për miqtë francezë është i pakursyer”, tha kancelarja.

Për shefin e porsaemëruar të diplomacisë britanike, Boris Johnson, nëse konfirmohet se ishte një akt terrorist, sulmi brutal i mbrëmjes së djeshme do të dëshmojë se Europa vazhdon të mbetet e ekspozuar ndaj kërcënimeve të vazhdueshme të sigurisë.

Flamujt u ngritën sot në gjysmështizë në Nisën e tmerruar nga episodi tragjik. Të shokuar u shprehën parizienë e turistë në kryeqendrën e vendit, ndërsa në Berlin njerëzit mbushën me lule, qirinj e mesazhe ngushëllimi sheshin përpara ambasades franceze.

“Ështe e tmerrshme kjo që po ndodh në Europë. Mund të ndodhë dhe këtu tek ne, nuk është çudi. Shërbimet e inteligjencës duhet vërtet të shqetësohen”, tha një qytetare.

Top Channel