Hollande: Mund të jetë sulm terrorist, gjendja e emergjencës deri në tetor

15/07/2016 00:00

Presidenti francez, Francois Hollande, konfirmoi se 77 persona kanë humbur jetën, përfshirë edhe fëmijë, gjatë sulmit së të enjtes në Nicë. Ai deklaroi se nuk përjashtohet mundësia që ky ka qenë një sulm terrorist, ndërsa njoftoi për zgjatjen e gjendjes se emergjencës në vend edhe për tre muaj të tjerë.

“Franca është goditur në ditën e pavarësisë, simbolin e lirisë. Ne solidarizohemi me familjet e viktimave. Kemi vënë në dispozicion gjithçka kemi për të ndihmuar të gjithë të plagosurit. Franca si e tërë është e kërcënuar nga terroristët islamikë. Ne duhet të jemi vigjilentë dhe të mos ulim kokën. Kam vendosur që gjendja e emergjencës që u supozua të përfundonte më 26 korrik, të shtyhet edhe për tre muaj të tjerë”, u shpreh Presidenti Hollande.

Ai tha se qeveria ka nxjerrë në terren forca shtesë për të mbështetur xhandarmërinë dhe policinë për të mbajtur rendin, sidomos për të kontrolluar kufijtë. Hollande gjithashtu njoftoi se Franca nuk do të tërhiqet nga sulmet në Siri dhe Irak.

Presidenti tha se do të vizitojë qytetin e Nice ditën e sotme (e premte) dhe shtoi se Franca është e pikëlluar për ngjarjen, por është e fortë, më e fortë se fanatikët që e goditën atë të enjten.

Top Channel