Dëshpërimi i Athinës, stërvit qen për të gjetur para në kufi

14/07/2016 00:00

Nëse në bagazhet tuaja ndodhen sasi parash të thata, bëni mirë që të shmangni aeroportet greke. Brenda pak muajsh, në portat hyrëse dhe dalëse të Greqisë, do të vendosen qen të stërvitur enkas për të nuhatur dhe gjetur paratë e fshehura në bagazhe.

Fillimisht mediat greke e quajtën këtë shaka aspak të këndshme, por duket se qeveria e ka shumë seriozisht.

Lajmi u bë publik nga Ministria e Financave, madje tashmë është shpallur edhe tenderi për blerjen dhe stërvitjen e katër qenve të parë  “nuhatës së parave”, të cilët do të fillojnë programin trajnues. Nuk sqarohet se për cilën monedhë në veçanti bëhet fjalë, por besohet se trajnimi do të bëhet për euron, megjithëse zor se na kishte shkuar mendja më parë për aromën e ndryshme të valutave të ndryshme.

I gjithë ky operacion i pazakontë bëhet qartësisht për paratë, pasi vendit i duhen para të thata dhe duhen zbuluar kudo që fshihen si në bagazhe udhëtarësh, në kasaforta, madje edhe nën pllakat e dyshemesë së shtëpive.

Depozitat greke ndodhen në pikën e tyre më të ulët historike dhe fakti më shqetësues është se askush nuk dëshiron ti kthejë paratë sërish në banka, pasi frika e taksimit të lartë ende ekziston.

Llogaritet se më shumë se 60% e depozitave janë larguar nga bankat që prej fillimit të krizës, duke krijuar vështirësi likuiditeti për shumicën e bankave vendase. Nuk dihet sa i suksesshëm do të jetë i qeni-gjetës i parave, por minimalisht tregon se qeveria në Athinë është e dëshpëruar.

Top Channel