Gërmimet te kampusi universitar, deri tani asnjë mbetje mortore

14/07/2016 00:00

Asgjë nuk është gjetur në pikën e parë të gërmimeve për varrezat e dyshuara në kampusin e Universitetit të Prishtinës. Lajmin e ka bërë të ditur për “KohaVision”, kreu i Komisionit qeveritar për Të Pagjeturit, Prenk Gjeta.

Ai ka thënë se sot po vazhdojnë punimet në një tjetër pikë, atë pas objektit të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.

Ekspertët vendas dhe të huaj kanë nisur që nga e mërkura gërmimet për të vërtetuar dyshimet nëse trupa shqiptarësh janë varrosur apo jo aty.

Dëshmitarë të shumtë thuhet që kanë deklaruar se, gjatë kohës së luftës kanë parë forca të policisë duke varrosur trupa të të vrarëve në këtë hapësirë.

Prokurori i këtij rasti, Elez Blakaj ka deklaruar se gërmimet kanë filluar me urdhër të Prokurorisë Speciale, nën dyshimet për varrezë masive, dhe punimet do të zgjasin aq sa të kihet nevojë.

Top Channel