Kosovë, opozita: Nuk do ta lejojmë ratifikimin e “Demarkacionit”

13/07/2016 00:00

Opozita, e më konkretisht dy partitë parlamentare AAK dhe NISMA, vazhdojnë të kundërshtojnë ratifikimin e marrëveshjes së nënshkruar një vit më parë për Demarkacionin me Malin e Zi.

Shefja e grupit parlamentar të “Nisma për Kosovën”, Valdete Bajrami ka thënë se do të parandalojnë edhe më tej votimin e marrëveshjes për Demarkacionin, duke i bërë thirrje deputetëve që të reflektojnë për mosvotimin e saj.

“U bëj thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që të mos e japin votën pro ratifikimit të marrëveshjes për Demarkacionin, pasi ne e dimë që çështjet kombëtare duhet të trajtohen si të tilla dhe nuk guxojmë t’i vëmë interesat individuale partiake përpara interesave shtetërore. Qeveria dëshiron me ngulm ta bëjë këtë ratifikim, duke anashkaluar qytetarët dhe opozitën. Por ne si koalicion nuk do ta lejojmë ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, pasi kemi si ekspertët tanë ashtu dhe qytetarët, të cilët vazhdimisht kanë ofruar dokumente dhe fakte, që toka jonë po i jepet shtetit fqinj. Ftoj deputetët e atij rajoni që të shkojnë dhe ta vizitojnë atë vend, për të parë se ku po i merret toka Kosovës”, tha ajo.

Mirëpo në pyetjen e bërë se cilat do të jenë masat, Bajrami tha:

“Ende nuk kemi asnjë datë nga qeveria se kur mund të mbahet seanca, por do t’iu lajmërojmë në vazhdim se cilat do të jenë masat për ta ndaluar këtë votim”.

Sipas deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, opozitarët nuk do të lejojnë kurrsesi që të ratifikohet kjo marrëveshje, pasi kanë fakte të dëshmuara që ajo tokë është e Kosovës.

“Sa i përket nismës së deputetit Buliç, kemi menduar që është nismë e mirë dhe do t’i përgjigjemi ftesës për debat. Por për zotin Meha, më interesant është pushimi sesa kjo. Kjo është mosserioziteti i qeverisë”, tha ai.

Top Channel