Polonia dhe vendet baltike sigurojnë mbrojtje gjatë Samitit të NATO-s

08/07/2016 00:00

Në samitin e NATO-s në Varshavë, përfaqësuesit e aleancës dhe Bashkimit Europian ranë dakord për vendosjen e forcave shumëkombëshe në vendet baltike dhe në Poloni për të penguar çdo agresion të mundshëm rus.

Samiti vendosi që sulmi ndaj një anëtari të konsiderohet si një sulm ndaj të gjithë aleancës. Kancelarja gjermane, Angela Merkel shprehu angazhimin e Brukselit në nismën e përbashkët ndaj sfidave të sigurisë.

“Gjermania do të kontribuojë në Lituani së bashku me Norvegjinë, Francën dhe vendet e Beneluksit. Vendi ynë do të fokusohet në dialog për të ndërtuar një raport konstruktiv ndërmjet Rusisë dhe NATO-s”, tha Merkel.

Në momentin kyç, kur Europës i shkëputet një shtyllë e rëndësishme sikurse Britania, kritikët dyshojnë për fuqinë e Perëndimit. Por kryeministri britanik, David Cameron hodhi poshtë këto zëra.

“Tani Britania nuk do të luajë një rol më të paktë në botë. Ne do të përdorim fuqinë tonë për të përçuar vlerat britanike”, tha Cameron.

Aleanca 28-kombëshe pritet të vendosë 4 batalione me 3.000 deri në 4.000 trupa ushtarake në shtetet baltike dhe në Poloninë Lindore, për t’iu garantuar qetësi vendeve lindore anëtare të NATO-s.

Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia kanë kërkuar një prani të përhershme të aleancës, mes frikës se Moska do të destabilizojë qeveritë e tyre properëndimore nëpërmjet sulmeve kibernetike, apo inkursioneve territoriale. Por në rast rreziku nga Kremlini, NATO do të vendosë në zbatim forcën e reagimit të shpejtë, e cila përbëhet prej 40 mijë vetësh.

Top Channel