Basha, në Greqi: Heqja e ligjit të luftës, ndikim pozitiv në marrëdhëniet dypalëshe

07/07/2016 00:00

Partia Demokratike dhe “Nea Demokracia” janë dy parti të qendrës së djathtë dhe të dyja janë në opozitë. Por, me vizitën e Lulzim Bashës në Athinë, dy partitë synojnë të forcojnë bashkëpunimin dhe të shfrytëzojnë çdo hapësirë për të përmirësuar marrëdhëniet shqiptaro-greke.

Ura lidhëse më e rëndësishme në këto marrëdhënie janë shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në Greqi.

“Me kënaqësi prita kreun e opozitës shqiptare këtu në zyrat tona. Marrëdhëniet tona me Shqipërinë janë tradicionale, janë marrëdhënie respekti të ndërsjelltë, por ka ende hapësirë të forcohen edhe më tej. Qindra mijëra shqiptarë jetojnë dhe punojnë këtu. Një pjesë e tyre janë shtetas grekë, ndaj dhe ne si parti na interesojnë ata. Dua t’i uroj mikut tim të mirë suksese në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa dua të theksoj se në figurën e tij shquaj një udhëheqës që simbolizon të ardhmen e Shqipërisë”, tha Kyriakos Mitsotakis.

Në takimin me kreun e opozitës greke, me grupin parlamentar të “Nea Demokracia”-s, me kryetarin e Komisionit të Jashtëm në Parlamentin grek dhe me kreun e PASOK-ut, Lulzim Basha shprehu qëndrimin e Partisë Demokratike se, anulimi i ligjit të luftës është një çështje që duhet zgjidhur me vizion europian dhe që do të kishte impakt pozitiv në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Kreu i opozitës u takua me emigrantë shqiptarë në zyrën e Partisë Demokratike në Athinë, të cilëve u shprehu bindjen se ardhja e “Nea Demokracia”-s në pushtet dhe fitorja e Partisë Demokratike në Tiranë do të lehtësonin zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve.

“E rëndësishme është që jemi këtu për të hedhur bazat e një dialogu të mirëfilltë, i cili duhet të çojë jo drejt akumulimit apo stanjacionit, por drejt zgjidhjes së problemeve dypalëshe. Duke nisur me interesat tona parësore, që janë interesat e shqiptarëve të Greqisë, janë interesat tuaja dhe të çdokujt tjetër”, tha Basha.

Zoti Basha ftoi emigrantët të vijnë në Shqipëri për të votuar për Partinë Demokratike, kurdo që të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme.

Top Channel